17.04.2014 - 17:25 |
NDRYSHIMI I FUNDIT PARA 8 min 36 sec

Languages

  • Македонски
  • Shqip

Si të përgatiteni për testet në shkollë?

Pushimet dimërore tashmë përfunduan dhe tani ju pret gjysmëvjetori i dytë. Së bashku me fillimin e vitit të ri shkollor fillojnë edhe testet dhe provimet. Në vazhdim të këtij teksti do t’ju japim disa këshilla se si sa më lehtë të përgatiteni për testet nga lëndët e juaja.

Studioni gjithnjë në një vend të qetë, ku nuk ka mundësi shpërqendrimi. Disa njerëzve u pëlqen të kenë muzikë në sfond. Kjo u ndihmon të përqendrohen. Por, televizorin duhet ta fikni! Mos neglizhoni asgjë deri në momentin e fundit. Shumë kohë para testeve, hartoni një orar dhe zbatojeni deri në fund. Bëni një listë të lëndëve që duhet të lexoni dhe ndani kohën për secilën prej tyre.

Përfshini edhe disa pauza në orarin tuaj për të ngrënë vaktet dhe parashikoni kohë për të dalë pak në ajër të pastër dhe për të bërë ushtrime. Mos kaloni nga njëra lëndë te tjetra gjatë një periudhe leximi, kjo do t’ju ngatërrojë. Bëni shënime përsëritjeje nga ato që keni marrë në klasë, por mos i kopjoni fjalë për fjalë. Bëjini më të shkurtuara dhe nënvizoni gjërat kyçe me ngjyra të ndryshme. Shkruajini figurat dhe faktet që ju duhet t’i mbani mend në “pusulla të vogla”, të cilat mund t’i mbani me vete.

Lexojini ato sa herë që keni 5 minuta të lira. Nëse hasni diçka që nuk kuptoni, bëni një shënim dhe kërkojini mësuesit t’i rikthehet përsëri atij argumenti. Kërkojini njërit prej miqve ose të afërmve t’ju testojë për pikat më të rëndësishme, pas çdo seance përsëritjeje. Më e rëndësishmja nga të gjitha: Mos i përjetoni me tmerr e panik testet. Flisni me dikë nëse ndjeheni i/e stresuar. Duhet të keni gjithnjë parasysh se edhe nëse ju e humbisni një test, bota nuk do të marrë fund. Vetëm bëni më të mirën, sepse më e mira juaj është ajo e duhura.

Jetë